Angli, gjenden 68 klandestinë në një konteiner në portin e Harwichit

05/06/2015 00:00

Të ardhur nga Holanda, 68 emigrantë të kombësive të ndryshme janë gjetur në një konteiner nga autoritetet britanike të kufirit, në portin ndërkombëtar të Harëichit, në Juglindje të Anglisë.

Dy gra shtatzëna ishin në mesin e tyre, ndërkohë që 7 prej tyre janë dërguar në spital, pasi disa kishin pësuar gjendje të fikti, e të tjerë kishin dhimbje abdominale dhe në kraharor.

Ndërkohë, 61 emigrantët e tjerë janë marrë nga autoritetet britanike të emigracionit. Konteineri ishte i ngarkuar në një traget, që vinte nga porti holandez i Hookut dhe operohej nga kompania e trageteve “Stena Line”.

Ka qenë një kontroll rutinor, që ka bërë të mundur gjetjen e emigrantëve. Disa prej tyre janë nga Evropa dhe përtej kontinentit, por për momentin nuk ka asnjë të dhënë se në mesin e tyre mund të ketë shqiptarë, edhe pse autoritetet janë të rezervuara për të dhënë nacionalitetet e emigrantëve të kapur.

Britania mbetet një magnet i fuqishëm për emigrantët nga e gjithë bota, përfshi Shqipërinë e Kosovën. Numri i tyre vazhdon të rritet, pavarësisht nga masat e kontrollet e rrepta të autoriteteve britanike. Edhe pse ky rast është pa fatalitete, në të kaluarën nuk kanë munguar rastet, kur emigrantë të gjetur të fshehur nëpër konteinerë apo maune kanë rrezikuar apo dhe humbur jetën, për të ardhur në Britani, mes të cilëve edhe shqiptarë.

Ekonomia në rritje e Britanisë dhe sistemi i ndihmave sociale, besohen se janë nga faktorët që i shtyjnë emigrantët drejt ishullit. Shumë prej tyre kanë humbur frikën edhe për jetën, por jo shpresën për të ardhur në Britani, ndaj nuk rreshtin së tentuari për të ardhur me çdo mjet dhe çdo çmim.

Top Channel