Tiranë, asgjësohen 350 rrënjë kanabis; prangosen 4 persona

05/06/2015 00:00

Katër persona janë arrestuar në flagrancë nga policia e Tiranës për kultivim të kanabis sativa. Burime zyrtare bëjnë të ditur se ata u kapën duke punuar bimën narkotike brenda parcelës, e cila ishte në vëzhgim prej disa ditësh.

Në këtë parcelë u gjetën e më pas u asgjësuan 350 rrënjë kanabis, si dhe u sekuestruan dy automjete në cilësinë e provës materiale.

Të arrestuarit janë: Adnand, Mustafa, Lulzim dhe Besnik Çullhaj, banorë në një fshat pranë Tiranës. Mbi ta rëndon akuza e kultivimit të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim.

Ndërkaq, policia ka vijuar aksionet antikanabis edhe në zona të tjera të vendit. Kështu, disa orë më parë është zbuluar një tjetër parcelë e mbjellë me kanabis në fshatin Vërlen të Devollit. 175 rrënjët e gjetura, me gjatësi 10-65 cm u asgjësuan, ndërsa policia po punon për identifikimin e kultivuesve.

Top Channel