Arrestohet sekseri i provimeve; u merrte lekë studentëve kundrejt notës

05/06/2015 00:00

Policia e Elbasanit ka zbuluar një skemë korruptive në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, duke vënë në pranga sekserin e stafit pedagogjik.

Burime zyrtare të policisë thanë se Oltion Toçi, 34 vjeç, u arrestua gjatë operacionit “I pandreqshmi”. Prej 6 muajsh, në bashkëpunim me një tjetër person të shpallur në kërkim, Toçi shërbente si sekser mes stafit akademik dhe studentëve, gjatë periudhës së provimeve.

Studentët, të cilët kërkonin një notë kaluese apo një notë më të mirë, i paguanin Toçit shuma që varionin nga 13 deri në 15 mijë lekë për çdo provim.

Policia vijon hetimet për identifikimin e të tjerë personave të përfshirë në këtë skemë, përfshirë edhe anëtarë të stafit pedagogjik.

Top Channel