Basha, në Elbasan: Estrada e Ramës nuk i zgjidh problemet

05/06/2015 00:00

Në Elbasan, ku opozita kandidon me Ardian Turkun, tregtarët iu ankuan kryetarit demokrat Lulzim Basha se prej dy vjetësh paguajnë më shumë taksa, fatura më të larta energjie dhe se kanë më pak fitime.

“E kemi një zgjidhje për këtë situatë, në nivel lokal uljen e taksave për biznesin e vogël, në nivel qendror uljen e çmimit të energjisë me 25%, uljen e çmimit të naftës, ardhjen në ndihmë të biznesit, në veçanti biznesit të vogël dhe të krijojmë vende pune, sepse shkaku i  rënies së fuqisë blerëse është rënia e punësimit”, iu përgjigj Basha tregtarëve.

Në Qukës të Përrenjasit, ku për opozitën kandidon Bajazit Karriqi, Basha u kërkoi banorëve të zonës të mos i besojnë sërish drejtimit të shpallur nga qeveria.

“Drejtimi i duhur është që të dyfishosh faturat e energjisë? A është drejtimi i duhur, dyfishimi i listave të ushqimeve? A është drejtimi i duhur për prindërit që rrinë kokëulur para fëmijëve se s’kanë para t’u blejnë as ushqime, as veshmbathje, apo ata hallexhinj që s’kanë para t’u blejnë as ilaçe?!”, u shpreh Basha.

Ndërsa në Librazhd, ku kandidat i opozitës është Fadil Brazhda, zoti Basha akuzoi qeverinë se po mashtron sërish qytetarët në zgjedhje. Ai iu referua një tabele të vendosur në Qafë Drizë, që tregon riskontruksionin e rrugës Orenjë-Librazhd, për të cilën tha se është një gënjeshtër elektorale.

“Më thanë se do vijë kryeministri të presë shiritin, kur këtu nuk ka as prokurim, as fonde. Me 300 milionë lekë të vjetra, as dy kilometra me rërë nuk bëhen. E kanë mendjen vetëm për mashtrime, sepse kjo gënjeshtër është tipike për fallsitetin e kësaj qeverie”, tha Basha.

Sipas kryetarit të PD, ka një ndryshim thelbësor mes fushatës së qeverisë dhe asaj të opozitës.

“Bëjnë rrethe estradash me aktorë të vetëm kryeministrin, a thua se ka diçka për të qeshur. Asgjë nuk ka për të qeshur. Vendi është në krizë, çminet janë rritur, shqiptarët jetojnë më keq. Cila është rrugëdalja? Estrada e Edi Ramës? Rrugëdalja është të ndalim me votë gënjeshtrën dhe mashtrimin që erdhi me votë para dy vitesh, të hapim një rrugë tjetër për uljen e taksave, duke e bërë Shqipërinë me taksat më të ulëta në Ballkan, të mbështesim biznesin që krijon vende pune, të zhvilllojmë infrastrukturën, sepse kështu hapen vende pune, jo me përralla”, tha Basha. 

Top Channel