Veliaj: Nxitje biznesit dhe punësimit

05/06/2015 00:00

Me identifikimin e dëmeve të shkaktuara në 4 vitet e fundit ndaj sipërmarrjes, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka prezantuar programin e tij përpara biznesmenëve dhe sipërmarrësve të Tiranës.

“Garantoj se, në dallim nga indiferenca që keni pasur në 4 vitet e fundit nga Bashkia e Tiranës, jam i angazhuar të ruaj të njëjtin seriozitet në marrëdhënien me biznesin, ashtu siç e patëm gjatë bashkëpunimit tonë në qeveri. Jam shumë i ndërgjegjshëm që keni pasur një trajtim të pabarabartë. Përkushtimi im është që të kemi një sistem paanësie”, tha Veliaj.

Duke u ndalur tek lejet e ndërtimit, Veliaj ka bërë të qartë një gjë: “Fjala kryetar i Bashkisë së Tiranës nuk do të jetë më sinonim i atij që jep leje ndërtimi”.

Sipas tij, tashmë Tirana është e mbingopur me ndërtime: “Kemi mijëra apartamente të pashitura dhe nuk ka sens që në 4 vitet e ardhshme të inkurajohen ndërtime të mëtejshme. Kur të shiten apartamentet e pashitura, do të nisim të konsiderojmë lejet e ndërtimit”.

E në fund, Erion Veliaj, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, prezantoi një plan për nxitjen e biznesit dhe punësimit: “Roli i bashkisë duhet të jetë që, së bashku me Ministrinë e Ekonomisë, t’u prezantojë bizneseve kapanonet që kemi të lira dhe për ofertën që do të shtojë punësimin dhe prodhimin ‘Made in Tirana’, ne do të jemi të gatshëm që përkundrejt 1 euro t’i vëmë në dispozicion, sepse janë asete të vdekura dhe pa asnjë vlerë”.

Top Channel