Idrizi, në Devoll: PDIU, e vetmja parti me program të qartë për pushtetin lokal

05/06/2015 00:00

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka kërkuar mbështetjen për kandidatët e kësaj partie për Këshillin Bashkiak të Devollit. Ai tha se PDIU është e vetmja parti që ka një program të qartë për pushtetin lokal.

“Jemi e vetmja parti që ka një program për pushtetin lokal. Ju keni nevojë që mos ta shikoni Bashkinë vetëm si një zonë ku do ndërtohen disa shtëpi apo pallate më të mira, por si zonë integrale bujqësore, ku zona rurale me pjesën e qytetit të jenë të integruara. Ju keni nevojë që produktet tuaja të arrijnë të dalin në treg, të grumbullohen, mos të kalben rrugës, por të ketë qendra grumbullimi, qendra përpunimi dhe kjo mund të bëhet vetëm në një zonë ekonomike të madhe siç është bërë tashmë Bashkia e Devollit. Kjo është arsyeja pse PDIU u fut ne reformën administrative, pse ne kemi një program shumë të qartë për zhvillimin e zonave dhe kjo është arsyeja se pse ne ndihemi në Devoll si në shtëpinë tonë”, tha Idrizi.

PDIU kandidon në të gjitha bashkitë e Shqipërisë me lista shumëemërore për Këshillat Bashkiakë dhe me një program tërësor mbi problemet e pushtetit vendor.

Top Channel