Dako, në Sukth: Brenda 2016-s, legalizim i të gjitha tokave të Sukthit

05/06/2015 00:00

Kandidati i majtë për Bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako ka premtuar se deri në fund të vitit 2016 do të legalizohen të gjitha takat e Sukthit. Ai është takuar me gratë e Sukthit, pasi me ndarjen e re territoriale, kjo zonë bëhet pjesë e bashkisë së re.

“Ka 25 vjet që shumë prona nuk janë regjistruar akoma. Shumë shpejt nis regjistrimi i tokave dhe në muajt janar dhe shkurt procesi i azhornimit do të ketë përfunduar. Pas këtij proçesi do të nisë legalizimi i çdo pasurie në këtë zonë. Ky është një zotim i përbashkët i yni në bashkëpunim me qeverinë. Deri në fund të vitit 2016-s, Sukthi do të jetë tërësisht i legalizuar”, tha Dako.

Dako bëri të ditur që, në janar të vitit të ardhshëm do të nisë dhe ndërtimi i rrugës që lidh autostradën Tiranë-Durrës me bregdetin. “Sukthi është një pikë e rëndësishme për ne. E tillë është rruga që lidh autostradën Tiranë-Durrës me bregdetin, e cila do të nisë së ndërtuari në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm”, tha ai.

Në vijim të takimit me gratë e Sukthit, Dako ka kritikuar opozitën se nuk ka bërë asgjë për këtë zonë edhe pse qëndroi për një kohë të gjatë në pushtet.

Top Channel