Ndalohet gjyqtari i Sarandës, Rasim Doda, akuzohet për korrupsion pasiv

05/06/2015 00:00

Pas marrjes së autorizimit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria për Krimet e Rënda ka nxjerrë urdhër ndalimi për gjyqtarin e Sarandës, Rasim Doda. Ai akuzohet për korrupsion pasiv të gjyqtarit. Doda është ndaluar menjëherë në Tiranë, rreth orës 14.00.

Sipas Prokurorisë, “ janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Rasim Doda, në një çështje civile, ka kontaktuar me njërën prej palëve një ditë para dhënies së një vendimi civil që po e gjykonte ai dhe, në këmbim të vendimit në favor të kësaj pale, dyshohet se i ka kërkuar një shumë të konsiderueshme parash. Madje, për ta bërë më të besueshëm faktin se vendimi do të ishte në favor të kësaj pale, gjyqtari, një ditë para seancës përfundimtare, i ka vënë në dispozicion palës dispozitivin e vendimit, i cili do të ishte në favor të tij”.

Pasi pala kishte deklaruar se nuk mund të paguante shumën që kërkohej, gjyqtari Doda ka dhënë vendimin në favor të palës tjetër. Pas kësaj, është bërë dhe kallëzimi. Për të provuar pretendimet e personit që nuk kishte pranuar të jepte shumën e kërkuar, Prokuroria për Krimet e Rënda urdhëroi ekspertimin e kompjuterit të gjyqtarit Rasim Doda. Nga të dhënat e fshira nga Doda u rekuperua dhe një dokument, fundi i të cilit ishte identik me dokumentin objekt ekspertimi.

“Në këto kushte, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se gjyqtari ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit….” dhe ka nxjerrë urdhërin e ndalimit në dt. 05.06.2015, i cili është ekzekutuar brenda të njëjtës datë.

Top Channel