Skandali me ilaçet, arrestohet drejtori i FRSDKSH-së dhe 7 punonjës

05/06/2015 00:00

Me urdhër të Prokurorisë, është arrestuar shtetasi Pjerin Xhuvani, me detyrë drejtor i Fondit Rajonal për Rimbursimin e Ilaçeve. Ai, së bashku me 7 persona të tjerë, ishin nën hetim për skandalin e mashtrimit nëpërmjet faturave fiktive, duke shkaktuar një dëm prej 56 milionë lekësh, si rimbursime nga shteti.

Sipas Prokurorisë, ky procedim është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Objekti i kallëzimit ka të bëjë me rimbursimin e çmimeve të medikamenteve mjekësore, përsa i përket recetave të ekzekutuara pranë 4 subjekteve farmaceutike, të cilat janë: “Farmacia Lundër”, “Nutrimed 2012”, “Bërzhitë”, dhe “Adelina”.

Sipas kallëzimit, nga shtatori 2014 deri në mars 2015 është konstatuar se këto 4 subjekte farmaceutike kishin luhatje të mëdha në vlerat e rimbursimit nga njëri muaj në tjetrin. Shuma totale për këto 4 subjekte kap vlerën e 55.9 milionë lekë.

Nga verifikimi i të dhënave është vënë re se, barnat, çmimet e të cilave janë rimbursuar, kanë pasur të bëjnë me barna për kurimin e sëmundjeve të rënda. Nga këqyrja e sistemit online pranë QKR-së, ka rezultuar se subjektet “Farmacia Lundër” dhe “Bërzhitë” kanë të njëjtin NIPT të deklaruar në QKR, ndërsa subjekti “Adelina” nuk kishte NIPT të deklaruar.

Në kuadër të kryerjes së kontrollit të inventarit të këtyre subjekteve, është shkuar në vendushtrimin e deklaruar të aktivitetit dhe është konstatuar se, 3 nga këto subjekte nuk ushtronin aktivitete, por ambientet ishin të boshatisura. Ndërsa subjekti i katërt, “Adelina”, nuk ushtron aktivitet në Shqipëri.

Pas kontrollit të recetave rezultoi se, asnjë nga 97 mjekët nuk kanë dhënë recetë me rimbursim për pacientët e dalë nga të dhënat e Fondit. Nën akuzë janë vënë 7 persona, dy zyrtarë në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë dhe 5 drejtues farmacish në Tiranë.

Top Channel