Moska: Blateri u hoq për ne. Amerikanët nuk duan që Kupa e Botës të luhet në Rusi

05/06/2015 00:00

Dorëheqja e kreut të FIFA-s, Joseph Blatter, vë në pikëpyetje edhe mbajtjen e Botërorit në Rusi në vitin 2018, bashkë me atë të Katarit 4 vjet më pas.

Moska po përpiqet të ruajë qetësinë, e siç deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, përgatitjet e këtij vendi për Kupën e Botës vazhdojnë normalisht. Por, në thelb, lëvizja e Blaterit ishte një goditje aspak e vogël për Moskën. Presidenti rus ka dalë hapur në mbështetje të shefit të FIFA-s të goditur nga një skandal gjigant korrupsioni.

Vetëm një ditë përpara rizgjedhjes, ai i dërgoi një telegram urimi në Zyrih, ku vlerësonte përvojën dhe profesionalizmin e Blatterit. Përpos kësaj, Putin u hodh në sulm kundër drejtësisë amerikane për hetimet e nisura ndaj Blaterit, të cilat i përshkruante si përpjekje për të penguar rizgjedhjen e tij dhe e gjithë kjo, në këndvështrimin e Putinit, prapavijën e ka politike.

Presioni ndaj Blatterit synonte, sipas tij, ndalimin e mbajtjes së Kupës së Botës në Rusi. Në Moskë, shumë besojnë se forca lëvizëse pas largimit të 79-vjeçarit ishte pikërisht Amerika dhe për arsye, në logjikën e tyre, shefi i ri FIFA-s do të jetë dikush që gëzon mbështetjen e Uashingtonit.

“Në këtë rast, ndoshta do të dalë në rend të ditës një ndarje e re e shortit për Kampionatin Botëror të Futbollit 2018, që për Rusinë është skenari më i keq”, thonë zëra, që sidoqoftë shpresojnë se kjo të mos ndodhë.

Top Channel