Morata dëshiron të hyjë në historinë e Champions

05/06/2015 00:00

Në rast se Juve arrin të mposhtë Barçën në finalen e së shtunës, atëherë Alvaro Morata do të bëhet lojtari i katërt në historinë e këtij kompeticioni që fiton trofeun me “veshë të gjatë” dy herë radhazi, me skuadra të ndryshme.

Marcel Desailly e kishte fituar Champions-in me Marseillen në vitin 1993, ndërsa një vit më vonë me Milanin. Paolo Sousa kishte fituar me Juven më 1996 dhe një vit më vonë me Dortmundin si dhe Samuel Eto më 2009 kishte festuar me Barçën, ndërsa një vit më vonë me Interin.

Morata kishte luajtur edhe në finalen e vitit të kaluar, ku Reali fitoi përballë Atelticos pas shtesave. Ai kishte hyrë në lojë në minutën e 79. Te “Galaktikët”, Morata ka qenë nën hijen e treshes Benzema, Ronaldo dhe Bale, ndërsa në disa raste edhe pas Jese-s.

Megjithatë, Morata duket shumë i vendosur për t’i sjellë Champions-in e tretë Juves. Ai ka treguar se skuadra është e motivuar, ndërsa duhet të bëjnë një ndeshje perfekte për të mposhtur Barçën.

“Skuadra është shumë e motivuar. E dimë që do të luajmë një finale Champions-i dhe nëse fitojmë mund të shkruajmë historinë. Jemi të ndërgjegjshëm se për ne do të jetë shumë e vështirë, pasi kemi përballë një ekip shumë të fortë. Duhet të zhvillojmë një ndeshje perfekte për të mposhtur Barcelonën”, ka thënë Alvaro Morata.

Top Channel