Prishtinë, organizohet konferencë shkencore për Isa Boletinin

05/06/2015 00:00

Pak ditë para rivarrimit të heroit kombëtar Isa Boletini, në Prishtinë u zhvillua një konferencë shkencore për figurën e tij të quajtur “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, organizuar nga Instituti i Historisë së Prishtinës, Instituti i Historisë së Tiranës dhe Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve nga Shkupi.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, në hapjen e kësaj konference shkencore, theksoi se Isa Boletini jetoi dhe veproi në një periudhë dramatike të historisë sonë kombëtare, periudhë të kthesave të mëdha historike.

“Isa Boletini ishte një udhëheqës popullor që veproi në përputhje me nevojat e kohës. Kjo ishte koha e çlirimit kombëtar dhe formimit të shtetit kombëtar, ishte koha e shqiptarëve, koha e dëshmive të ekzistencës së tyre dhe e të drejtave të tyre. Të gjitha kryengritjet e Isa Boletinit ishin në shërbim të këtij qëllimi të madh”, është shprehur Veseli.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, tha se rrugëtimi i eshtrave të Isa Boletinit duket se është i vonuar historikisht, por në thelb paraqet një rikthim madhështor, sepse është rikthim në Kosovën e pavarur.

“Është e vërtetë që eshtrat e heroit tonë kombëtar Isa Boletini, rrugëtuan për një kohë të gjatë. Por, ja që përfundimisht ai do të prehet i qetë në vendlindjen e tij, në Boletin të Kosovës. Rrugëtimi i gjatë i eshtrave të Isa Boletinit, në një mënyrë, pasqyron edhe sakrificën dhe rrugëtimin e gjatë që pati populli ynë në luftën e tij shumë shekullore për liri dhe pavarësi. Rrugëtimi dhe pritja e popullit shprehet edhe përmes motos së këtij manifestimi që është “Prap na erdhi baca Isë”, ka deklaruar ministri Demolli.

Drejtori i Institutit të Historisë në Prishtinë, Sabit Syla tha se koha kur jetoi dhe veproi Isa Boletini është kohë shumë e rëndëishme në historinë e shqiptarëve.

“Rrallë herë ndodhë në histori të lind e të formohet një plejadë e tërë luftëtarësh, të devotshëm për çështjen kombëtare sikurse që ngjau në gjysmën e dytë të shek. XIX. Jeta dhe vepra e Isa Boletinit dhe bashkëkohësve të tij janë të freskëta dhe mbeten frymëzim i përhershëm për gjithë shqiptarët kudo që gjenden. Ata kristalizuan idealet e detyrat që shtonte fillimi i shek. XX, si epokë e madhe për çlirimin e vendit, emancipimin dhe çlirimin tonë kombëtar”, tha Syla.

Ndërsa ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se varri është simbolik, pasi Isa Boletini është personalitet që do të kujtohet gjithmonë nga kombi.

Top Channel