“Arrest me burg” për mësuesin që abuzoi me nxënësen 12-vjeçare

05/06/2015 00:00

Gjykata e Lushnjës dha të premten masën e sigurisë “arrest me burg” për Demir Hoxhën, mësuesin që abuzoi seksualisht me nxënësen e tij 12-vjeçare.

Demir Hoxha, me një përvojë 43-vjeçare në arsim, akuzohet për “marrëdhënie seksuale me të mitur” dhe “shpërdorim detyre”.

Ka qenë një denoncim i mamasë së nxënëses së klasës së pestë, A.K., e cila ka nxjerrë në dritë ngjarjen.

Ngjarja ka ndodhur të premten e kaluar, në klasën që ai ka në kujdestari. Drejtuesit e shkollës, të shokuar nga ngjarja, thonë se nuk ka patur më parë asnjë sinjalizim për mësuesin që ushtron këtë profesion prej 40 vjetësh.

“Mbetëm shumë të shokuar kur morëm vesh vetëm që e kanë arrestuar. Sepse informacioni ynë ishte vetëm kaq, që e ka arrestuar policia sepse ka pasur probleme me një nxënës të klasës. Si mësues ai është më i vjetri i shkollës, 43 vite punë dhe shihte punën e tij. Nuk të jepte përshtypjen e një njeriu negativ, që bënte këto gjeste të papranueshme”, deklaron drejtori i shkollës, Vasil Rrushi.

Top Channel