Albin Kurti: Qeveritë në Tiranë e në Prishtinë, larg nevojave të shqiptarëve në Maqedoni

05/06/2015 00:00

Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti thotë se qeveritë në Tiranë e në Prishtinë janë larg pritjeve dhe nevojave të shqiptarëve në Maqedoni.

“Për ngjarjet në Kumanovë, Qeveria e Shqipërisë kishte qëndrim shumë më të mirë e më të drejtë, se ajo e Kosovës. Megjithatë, qeveritë në Tiranë e në Prishtinë janë larg pritjeve dhe nevojave të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët, ndonëse janë një e treta e popullsisë, vazhdojnë të jenë të shtypur politikisht, të shfrytëzuar ekonomikisht e të diskriminuar kulturalisht. Dhuna dhe padrejtësia ndaj shqiptarëve në Maqedoni nuk ngjajnë vetëm kur ka ballafaqime të armatosura, siç ishte ai në Kumanovë, por për çdo orë të çdo dite”, ka thënë Kurti për mediat.
 
Sipas tij, shqiptarët e Maqedonisë kanë paguar çmimin më të madh, ngaqë ata kanë kontribuar sikurse të gjithë shqiptarët e tjerë për pavarësinë e Shqipërisë, para më shumë se një shekulli dhe për pavarësinë e Kosovës, para më shumë se shtatë viteve, por mbeten jashtë të dyjave, pra edhe jashtë Shqipërisë, edhe jashtë Kosovës.
 
Kurti pohon se serbët në Kosovë kanë më shumë të drejta se shqiptarët në Maqedoni.
 
“Tash, shumë më tepër të drejta kanë 6 për qind të popullsisë në Kosovë, që janë serbë, sesa një e treta e popullsisë në Maqedoni që janë shqiptarë. Në përgjithësi, ka asimetri të theksuar të të drejtave të shqiptarëve ku ata nuk janë shumicë, me të drejtat e pakicave të tjera kombëtare te shqiptarët ku këta janë shumicë”, shprehet Kurti.

Top Channel