Pogradeci çel sezonin turistik veror

05/06/2015 00:00

Qyteti i Pogradecit ka çelur sezonin turistik veror përmes një ceremonie, e cila është shoqëruar me panaire të punimeve artizanale, ekspozita në pikturë dhe gatime të ndryshme.

Qyteti mikpritës këtë vit e ka nisur stinën e ngrohtë me miq vendas e të huaj ndërsa në ceremoninë e përvitshme kanë marrë pjesë ministrja Klajda Gjosha dhe përfaqësues të pushtetit lokal.

Pas përshëndetjes nga kreu i bashkisë së Pogradecit Luan Maxhari, i cili ka theksuar se Pogradeci vit pas viti është duke zhvilluar turizmin, ai është ndalur edhe tek rritja e pritshmërisë për më tepër turistë falë investimeve në infrastrukturë.

Si çdo vit nuk kanë munguar as miqtë ku një grup artizanësh nga Ulqini kanë paraqitur punimet e tyre të veçanta duke ngjallur kureshtjen e pjesëmarrësve. Mes një ceremonie festive që ka qenë e larmishme për gjithë pjesëmarrësit nuk kanë munguar as festimet tradicionale. Në mbrëmje është organizuar edhe një festë e madhe me këngëtarë të ftuar.

Top Channel