Isa Boletini, familja e heroit i dorëzon eshtrat FSK-së

05/06/2015 00:00

Familja e Isa Boletinit i ka dorëzuar Forcës së Sigurisë së Kosovës eshtrat e heroit kombëtar dhe ato të bashkëluftëtarëve të tij.

Eshtrat e tyre, që nga dita e identifikimit nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ishin mbajtur të fshehura nga familja e heroit.

Gazmend Boletini, stërnipi i Isa Boletinit, ka bërë të ditur se eshtrat ishin dërguar në fshatin Veriq të komunës së Istogut, tek familjarët e heroit, të cilët deri të premten i kanë ruajtur privatisht.

Nga fshati Veriq eshtrat janë bartur drejt kazermës së FSK-së në Mitrovicë, me nderime dhe përcjellje institucionale.

Ceremonia e pranim-dorëzimit të eshtrave në kazermën e FSK-së ka qenë e mbyllur për mediat, ndërsa aty kanë qenë të pranishëm shumë familjarë të heroit kombëtar.

Organizimet në nderim të tij kanë nisur të enjten me “drekën tradicionale shqiptare” në Kullën e Boletinajve, në fshatin e tij të lindjes.

Përveç familjarëve të heroit, në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme komunale, atyre të sigurisë, si dhe shumë qytetarë nga Kosova e më gjerë, ndërsa nga Boletini i veriut të Kosovës u kënduan këngë për heroin, Kosovën e Shqipërinë.

Aktivitete në nderim të figurës historike shqiptare do të ketë edhe në ditët e ardhshme. Kuvendi i Kosovës ka vendosur që më 9 qershor të mbajë një seancë solemne për Isa Boletinin, ndërsa ceremonia qendrore kur dhe do të bëhet rivarrimi i tij është caktuar për më 10 qershor, në stadiumin e qytetit në Mitrovicë. 

FOTO GALERI
1/5

Top Channel