Kolegji vendos: Biba kandidon për Kurbinin. Bie kandidatura e Pjetrajt

05/06/2015 00:00

Merr fund odiseja e kandidatëve të Partisë Demokratike në Kurbin. Kolegji Zgjedhor vendosi që përfundimisht nën siglën e partisë më të madhe në opozitë të kandidojë Altin Biba, kandidati i parë i demokratëve në Kurbin, që më pas u dorëhoq duke u zëvendësuar me Ilir Pjetrajn.

Për shkak të dorëheqjes pas mbylljes së afatit zyrtar të Altin Bibës, KQZ nuk i pranoi atij largimin nga gara. Por ky vendim i Komisionit u ankimua nga Partia Demokratike që kërkonte zëvendësimin e Bibës me Pjetrajn. Por kërkesa e demokratëve u rrëzua nga Kolegji Zgjedhor, duke lënë përfundimisht në garë kandidatin e dorëhequr.

“Kolegji, pasi shqyrtoi çështjen, vendosi rrëzimin e ankes-padisë”, komunikoi vendimin kryetari i trupës gjykuese.

Shprehja e Kolegjit Zgjedhor për dorëheqjet pas afatit përbën edhe preçedentin për raste të tjera të shumëdiskutuara të dorëheqjeve që kanë mbërritur në KQZ.

Vendimi i Kolegjit nuk u komentua nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, parti që tani duhet të rikthejë në garë dhe njëkohësisht të mbështesë Altin Bibën, që më herët kishte deklaruar dorëheqjen e parevokueshme.

“Kolegji e zgjidhi përfundimisht këtë çështje, që kandidati i regjistruar mbetet Altin Biba. Kështu që nuk ka mundësi zgjedhjeje në këtë pikë”, deklaroi përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso. 

Top Channel