Kërcënuesi, një ish-imam i Leshnicës. Almir Daci njihej nga Antiterrori

05/06/2015 00:00

Ushtari i ISIS, që kërcënoi Shqipërinë për vendosje eksplozivësh dhe terror, është Almir Daci nga fshati Leshnicë i Pogradecit. Më parë ishte imam i xhamisë së Leshnicës.

Daci është një emër i njohur në raportet e Shërbimit Inteligjent Shqiptar, dhe po ashtu, edhe nga Drejtoria e Antiterrorit, pasi njihet si person që më parë rekrutonte të rinj për të luftuar në rradhët e ISIS.

Një prej tyre, i marrë me vete nga vetë Daci, u vra një vit më parë gjatë luftimeve. Denis Hamzaj, një ushtar tjetër nga Leshnica, i rekrutuar nga vetë imami Daci u dërgua në frontin e luftës, ku dhe u vra.

Në dyshimet e SHISH dhe Policisë së Antiterrorit, është fakt se vetë Daci ka marrë nga zonat përreth xhamisë, ku kryente funksionin e imamit, edhe të rinj të tjerë.

Policia ka marrë menjëherë në vëzhgim banesën e tij në Leshnicë, ndërkohë që pavarësisht se është një kërcënim i bërë në rrjete sociale, ai është marrë më tepër se seriozisht nga strukturat përkatese.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka urdhëruar të gjithë që marrin masat dhe të kërkojnë nga vendet fqinje informacion për lëvizje të mundshme të dyshuarish nga ISIS drejt Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Daci është një person i shpallur prej kohësh në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm dhe do ta kishte më tepër së të vështirë lëvizjen e tij.

Me urgjencë është kërkuar infomacion edhe për kërcënuesin tjetër, atë nga Kosova. Sipas policisë, të gjitha strukturat Antiterror janë në dispozicion për t’u marrë seriozisht me kërcënimin e imamit të Leshnicës.

Top Channel