Beqaj: Ky është vetëm fillimi; Çuçi: Të hetohen edhe ish-zyrtarët e qeverisë “Berisha”

05/06/2015 00:00

Pas arrestimit të 8 personave, të implikuar në skemën e vjedhjes nëpërmjet rimbursimit të barnave, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, nga Korça i kërkon prokurorisë të bëjë një hetim sa më të gjerë dhe të thellë, pasi – sipas tij – ky është vetëm fillimi.

Ministri i Shëndetësisë theksoi se, hetimet e pokurorisë nisën pas raportit dhe kallëzimit të bërë nga strukturat shtetërore.

“Është auditi i Fondit që ka bërë kallëzimin në Prokuroria, e tashmë kjo e fundit duhet të vazhdojë punën e saj. Unë personalisht i kërkoj hetim sa më të gjerë dhe më të thellë për këdo”, u shpreh ministri Beqaj.

Ndërkohë, lidhur me arrestimet e para, ku në krye qëndron drejtori i Fondit Rajonal të Tiranës, punonjës të këtij institucioni dhe farmacistë, ka reaguar edhe koordinatori kombëtar i Antikorrupsionit, pranë Këshillit të Ministrave.

“Në cilësinë e koordinatorit kombëtar kundër korrupsionit, jam sot këtu për të përshëndetur arrestimet e fundit të bëra nga Policia, me urdhër të prokurorisë. Aksioni është një dëshmi e qartë e angazhimit të plotë të qeverisë për të luftuar korrupsionin, ndaj kujtdo që ai përfaqëson. Dëshiroj t’i propozoj prokurorisë të çojë deri në fund, një hetim të nisur nga Departamenti Antikorrupsion pranë kryeministrit”, tha Bledi Çuçi, koordinator kombëtar i Antikorrupsionit.

Çuçi i kërkon prokurorisë, që të njëtën gjë të bëjë edhe me zyrtarë apo ish-zyrtarë, që janë denoncuar për korrupsion.

“Gjithashtu, inkurajojmë prokurorinë të veprojë në të njëjtën mënyrë me të gjitha denoncimet e bëra nga qeveria, qoftë për zyrtarë të 18 muajve të fundit të qeverisjes, qoftë për zyrtarë të qeverive të kaluara, çfarëdo pozicioni dhe niveli qeverisës që ata kanë qenë. Kultura e pandëshkueshmërisë nuk do të ketë vend në qeverinë tonë dhe ky fenomen do të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, deklaroi më tej Bledi Çuçi.

Skandali i vjedhjes nëpërmjet rimbursimit u publikua pak ditë më parë, kur farmaci në periferi të Tiranës dhe jo vetëm, pas një kontrolli nga strukturat shtetërore rezultuan se vidhnin nëpërmjet faturave dhe recetave fiktive.

Top Channel