Ambasadorja holandeze: Shmangni votimin familjar

05/06/2015 00:00

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në vendin tonë, Dewi van de Weerd, nga Durrësi u kujtoi votuesve shqiptarë se vota është një e drejtë personale, ndaj duhet të shmangin votimin familjar, një dukuri shqetësuese e vërejtur në proceset e kaluara zgjedhore.

Ajo u shpreh entuziaste për hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në drejtim të përfshirjes së grave në vendimmarrje.

Ministrja e Zhvillimit të Territorit Eglantina Gjermeni, pjesëmarrëse në konferencën e organizuar nga Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Durrësit, u ndal te realiteti diskriminues ndaj grave dhe vajzave, ndërsa vlerësoi si një arritje historike për vendin ndryshimet në Kodin Zgjedhor për kuotat gjinore.

Ministrja Gjermeni, ashtu si dhe përfaqësueset nga partitë politike dhe shoqëria civile, vunë theksin në nevojën që kanë gratë që përfshihen në politikë për ngritje kapacitetesh dhe mbështetje të vazhdueshme e të ndërsjelltë mes tyre për të ngritur zërin dhe arritur fuqizimin e gruas në politikë dhe shoqëri.

Top Channel