Kosovë, vonohet më tej drafti për krijimin e Gjykatës Speciale

05/06/2015 00:00

Institucionet e Kosovës ende nuk janë pajtuar që ta miratojnë draftin final të projektligjit të sponsorizuar nga Bashkimi Europian për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Disa nga krerët më të lartë të institucioneve nuk bien dakord për faktin që Bashkimi Europian nuk i ka marrë parasysh disa nga vërejtjet e ekspertëve kosovarë për të ndryshuar projektligjin.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë përmes telefonit për Top Channel se projektligji për Gjykatën Speciale tanimë ndodhet në zyrën e kryeministrit.

Burime nga zyra e Isa Mustafës kanë bërë të ditur se projektligji mund të miratohet nga qeveria javën e ardhshme, nëse Presidentja Atifete Jahjaga, vetë Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe zv.kryeministri Hashim Thaçi japin dritën jeshile, pasi ata janë në bisedime me zyrtarët europianë.

Mësohet se liderët shtetërorë po negociojnë për disa terma të projektligjit që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe e cenojnë atë në versionin siç janë propozuar nga Bashkimi Europian.

Deri sa qeveria të miratojë projektligjin për Gjykatën Speciale dhe atë ta lexojnë pastaj deputetët, Kuvendi nuk do të miratojë amendamentet kushtetuese që i hapin rrugë formimit të kësaj gjykate.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci tha përmes telefonit për Top Channel se deputetët janë në pritje të projektligjit për Specialen, për të proceduar pastaj me votim.

Grabovci tha se deputetët e PDK-së nuk kanë dilema për ta votuar ose jo gjykatën, por po presin që projektligji të pësojë ndryshimet e nevojshme.

Top Channel