Videoja “tmerruese” e një “joge fëmijësh”

05/06/2015 00:00

Rrjeti social Facebook mbrohet me argumentin se, janë thjesht disa ushtrime joge për bebe. Por nuk e mendon aspak kështu organizata për Mbrojtjen e Fëmijëve, NSPCC, e cila e ka fshikulluar si atë, ashtu edhe rrjete të tjera sociale, për shpërndarjen e videos “tmerruese”, siç e përshkruan, të një foshnjeje, të cilën një grua e zhyt egërsisht në një kovë me ujë.

Grupimi me qendër në Uells i kërkoi qeverisë britanike të ndërhyjë, me arsyetimin se lëvizja e vrullshme e një fëmije aq të vogël, në atë mënyrë mund t’i shkaktojë dëmtime të konsiderueshme në gjymtyrë e në tru.

Nuk është e qartë se kur është regjistruar videoja tronditëse e me çfarë qëllimi. Drejtuesit e Facebookut argumentojnë se, pamjet filmike nuk shkelin ndonjë rregull, e për këtë edhe kanë vendosur të mos bllokojnë çdo përdorim të tyre.

Videoja gati 2-minutëshe tregon një grua, duke e kapur beben fort nga krahët, e duke e zhytur në ujë; pas kësaj e ngre në ajër duke e mbajtur nga këmbët, e në një moment e kap nga koka dhe e lëviz përpara dhe pas në kovë.

Fëmija në fillim qan, pastaj me ndryshimin e pozicionit pushon. Claire Lilly, drejtuesja e shërbimit të NSPCC-së për mbrojtjen e fëmijëve online, i tha BBC-së se, një mënyrë e tillë e mbajtjes së foshnjes mund t’i dëmtojë seriozisht gjymtyrët.

Ajo që për dikë mund të jetë joga fëmijësh, për një person tjetër mund të përbëjë abuzim të të miturit, deklaroi Lilly. Filmimi – sipas saj, – është një shembull i qartë i lirshmërisë së tepruar të asaj çfarë mund të hidhet sot në internet, pa kriter.

Top Channel