LSDM do të bojkotojë takimin e Brukselit. Zaev: Deklaratat e Hahn, tendecioze

05/06/2015 00:00

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e 10 qershorit në Bruksel, për zgjidhjen e krizës politike.

LSDM-ja opozitare e publikoi këtë vendim pas deklaratës që bëri të premten në Uashington komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, i cili tha se, proceset zgjedhore në Maqedoni janë vlerësuar pozitivisht nga misioni mbikëqyrës i OSBE-së.

Por, lideri i social-demokratëve maqedonas vlerëson se ky qëndrim i zotit Hahn është i njëanshëm, pasi, siç tha ai, ciklet e fundit zgjedhore në Maqedoni kanë qenë të manipuluara nga pushteti.

“Deklarata në Uashington e Johannes Hahn, komisionerit për Zgjerim të BE-së, përmban elemente tendencioze dhe është e papërshtatshme për periudhën përgatitore, para mbledhjes vendimtare në Bruksel. Na befason vlerësimi i tij se raportet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet në vend kanë qenë në përgjithësi pozitive. As OSBE/ODIHR, as Bashkimi Evropian deri tani nuk kishin konstatuar se raporti për zgjedhjet në Maqedoni është pozitiv”, deklaroi Zaev.

Vendimi i liderit opozitar për të bojkotuar takimin në Bruksel pritet të thellojë edhe më tepër krizën në Maqedoni. Komisionarit Hahn, pas takimeve që pati në Shkup ditën e martë me katër liderët partiakë, tha se palët kanë rënë dakord për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe se është caktuar një takim i ri mes tyre më 10 qershor në Bruksel, për të finalizuar marrëveshjen për tejkalimin e situatës.

Por, menjëherë pas këtyre deklaratave të zyrtarit europian, opozita maqedonase bëri të ditur se nuk pranon asnjë marrëveshje, derisa palët nuk bien dakord për formimin e një qeverie kalimtare pa Gruevskin kryeministër.

Top Channel