Turqi, dy viktima dhe mbi 100 të plagosur nga shpërthimet në mitingun opozitar

05/06/2015 00:00

Dy shpërthime kanë tronditur një prej mitingjeve të partisë opozitare prokurde në Turqi, këtë të premte, duke lënë të vdekur 2 persona dhe duke plagosur më shumë se 100 të tjerë, pikërisht dy ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Kryeministri Davutoglu ka reaguar menjëherë, duke thënë se është ende e paqartë, nëse shpërthimet erdhën si pasojë e ndonjë sulmi apo ishin thjesht aksidentale.

Shpërthimet ndodhën kur dhjetëra mijëra persona ishin mbledhur në mitingun e Partisë Popullore Demokratike pro kurdëve (HDP), në Diyarbakir, qyteti më i madh në rajonin juglindor të Turqisë, që banohet më së shumti prej kurdëve.

Raportimet fillestare thanë se kishte pasur vetëm një shpërthim, por një burim nga zyrtarë të lartë të Sigurisë thanë se ndodhën dy të tillë. Zyrtarët fajësuan fillimisht një defekt elektrik në një transformator energjie, që ndodhej pranë venit të mitingut, por më pas e përjashtuan këtë mundësi.

Dëshmitarë thanë se shpërthimet ndodhën me 5 minuta diferencë nga njëri-tjetri. Njëri në një kosh mbeturinash, që u copëtua, dhe tjetri përpara një gjeneratori. Vetëm pak pas tyre, u vunë re njerëz të shumtë të plagosur dhe njëri që kishte humbur këmbën.

“Ishte tronditëse, kishte të plagosur në të gjitha pjesët e trupit. Gjëja më e tmerrshme erdhi pas tensionit mes njerëzve, u kthye gjithçka në kaos dhe nuk mund të lëviznim. Njerëzit i kapi paniku. Policia nisi të përdorte gazin lotsjellës ndaj njerëzve që po ndihmonin të plagosurit, apo ndaj atyre që po largoheshin nga skena e ngjarjes. Besoj se të gjithë janë të pikëlluar dhe mendoj se njerëzit do të kërkojnë hakmarrje”.

Shpërthimet vranë dy persona dhe plagosën më shumë se 100 të tjerë, sipas ministrit të Agrikulturës, Mehdi Eker, i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve, “Anadolu”. Spitalet e qytetit bënë një apel urgjent për dhurim gjaku.

Davutoglu ka qenë duke mbajtur fjalim në një miting në qytetin fqinj, Gaziantep, dhe nga aty tha se kundërshton me forcë çdo lloj eventi të dhunshëm si ky i kësaj të premteje.

Siguria ka qenë e lartë në të gjitha mitingjet politike të HDP-së, pasi tensionet janë rritur së tepërmi përpara zgjedhjeve të së dielës. Të enjten, një sherr plasi në qytetin verior të Erzurumit, pasi nacionalistët u përplasën me mbështetësit prokurdë në mitingun e Demirtas. Ky i fundit ka bërë të ditur se partia e tij ka qenë shënjestër e më shumë se 70 sulmeve të dhunshme gjatë kësaj fushate elektorale. Partia prokurde HDP është shumë pranë pragut të 10 përqindëshit, i mjaftueshëm për të siguruar futjen në Parlamentin turk, për të hyrë kështu në histori si e para parti prokurde që arrin këtë objektiv.

E nëse do ta arrinte këtë objektiv, ajo do t’i privonte shumicën absolute partisë në pushtet “AK” të Erdoganit, të cilën e ka shijuar që prej ardhjes në pushtet në vitin 2002.

Top Channel