Prindërit e Almir Dacit: Jemi të tronditur; babai: Gati të mohoj tim bir

04/06/2015 00:00

Shfaqja e Almir Dacit në një video kërcënuese, ku përdoret një fjalor i ashpër dhe terrorizues, ka tronditur sërsh prindërit e tij në fshatin Leshnicë të rrethit të Pogradecit.

Babai 72-vjeçar, Xhevahiri dhe nëna Nafia, pasi kanë parë filmimin pohojnë se ai është djali i tyre dhe se e kanë të pamundur ta pranojnë që është terrorist.

Babai, i irrituar, shprehet se e mohon djalin e tij nëse ato që thotë janë të vërteta, por pas kamerës pohon se do të donte që i biri të kthehej.

“Unë atë djalë e kam harruar, sepse na ka lënë në mes të batakut, pa ngrënë e pa pirë. Unë jam i sëmurë, me ilaçe. Ai terrorist nuk është e as ka qenë, por e ka zënë siç ka zënë të tjerët. Nuk kam komunikuar fare me të qëkur ka ikur”, thotë Xhevahir Daci.

Almir Daci për vite me radhë punoi si hoxhë në fshatin e tij, por pas 6 vitesh ai u shkarkua pasi nga myftinia e Pogradecit u konstatuan devijime në besimin islam.

Babai i 3 fëmijëve u largua në Siri mëse dy vite më parë, duke shkëputur kontaktet me familjen, ndërsa ndaj tij janë ngritur edhe akuzat për rekrutimin e të rinjve drejt Sirisë.

Top Channel