SHBA, 280 mijë vende të reja pune në maj. FED, drejt rritjes së normës së interesit

05/06/2015 00:00

Shtimi i vendeve të reja të punës në SHBA është përshpejtuar me një ritëm të lartë gjatë muajit maj, ashtu sikurse janë rritur edhe pagat, shenja këto të një momenti tepër pozitiv që po kalon ekonomia amerikane, duke përforcuar kështu edhe perspektivën për një rritje të normës së interesit në muajin shtator.

Muajin e kaluar ,listat e pagave janë shtuar me plot 280 mijë emra të rinj, sasia më e madhe kjo që prej dhjetorit të vitit të kaluar, siç bëri publik Departamenti amerikan i Punës këtë të premte.

Megjithatë, norma e papunësisë është rritur në 5,5 për qind; nga 5,4% që ishte në prill kur edhe shënoi rekordin më të ulët të 7 viteve të fundit; kjo sepse shumë persona, siç janë edhe të sapodiplomuarit nga kolegjet, kanë hyrë në tregun e punës, gjë që tregon besueshmërinë ndaj tregut të punës.

Pagat për marsin dhe prillin janë rishikuar, e tashmë është kuptuar se janë krijuar 32 mijë vende pune më shumë nga sa është raportuar në të kaluarën. Kjo, së bashku me rritjen mesatare prej 8 centësh në orë të fitimeve, shton mundësitë që Rezerva Federale (Fed), siç njihet ndryshe Banka Qendrore e SHBA-ve, të përforcojë politikat monetare këtë vit.

“Kjo, sigurisht që ofron më shumë mjete në planin e Fed për të nisur rritjen në muajin shtator”, tha Mark Luschini, shef i strategjive të investimit në Janney Montgomery Scott, të Filadelfias. Dollari ka pësuar rritje edhe ndaj një sërë monedhash të huaja, ndërsa vlera e borxheve qeveritare të SHBA-ve kanë rënë ndjeshëm.

Rezerva Federale i ka mbajtur përqindjet afër zeros që prej dhjetorit 2008 përgjatë natës, ndërkohë që zyrtarët e saj priten të takohen më 16-17 qershor për rishikimin e politikave.

Top Channel