Dënimi i Palokës dhe Ristanit, Basha: Rama, presion drejtësisë

05/06/2015 00:00

Për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vendimi i Gjykatës së Lartë për të dënuar me gjobë për shpifje, kreun e grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka dhe sekretarin e Përgjithshëm, Arben Ristani, është një vendim i marrë në kushtet e presionit nga Edi Rama.

“Presioni i paprecedent, që ai i ka bërë sistemit të drejtësisë me qëllimin e vetëm për të mbuluar kontratën e tij me krimin, solli që sot drejtësia të japë një vendim të papranueshëm, pasi kishte refuzuar më parë të merrte në shqyrtim prova, fakte dhe dëshmitarë që hedhin dritë mbi lidhjet e Edi Ramës me krimin”, shkruan Basha në Facebook.

Demokratët e cilësojnë vendimin të papranueshëm për opozitën, që ka kërkuar dhe kërkon dekriminalizimin e politikës, ndërsa sipas Bashës, Edi Rama është i lidhur kokë e këmbë me krimin.

“Kryeministri aktual është njeriu që solli në Parlament me firmën e tij, dhjetra deputetë të lidhur me rekorde kriminale. Është fakt i njohur botërisht që ai përdori kontratën me krimin, si një instrument për të fituar pushtetin, si një instrument që po e përdor sot sërish për të mbajtur pushtetin. Asnjë alibi nuk e shpëlan Edi Ramën nga dosjet dhe lidhjet e tij me krimin, dosje të cilat partnerët tanë ndërkombëtarë ia kanë përplasur në tryezë. Është fakt i njohur botërisht që Edi Rama ka qenë dhe mbetet mbrojtësi më i flaktë i personave me rekorde të tmerrshme kriminale në Parlament dhe në listën e tij të kandidatëve vendorë. Edi Rama ka refuzuar dhe refuzon të zgjidhë kontratën me krimin”, thotë kryetari i opozitës.

Në fund, Basha thotë se, “Partia Demokratike mbetet e vendosur të mos komentojë asnjë vendim gjyqësor, por nuk hesht dhe nuk ka për të heshtur derisa lidhjet e krimit me politikën të priten”.

Top Channel