Kush është biznesmeni Amiran Dzanashvili?

05/06/2015 00:00

Emri i Amiran Dzanashvilit u bë i njohur për shqiptarët në 48 orët e fundit, fillimisht me publikimin e materialeve të rrjedhura nga një dosje hetimore, të cilat më pas do të dominomin seancën në Parlamentin shqiptar.

Nga një kërkim në Google dalin rreth 25 mijë rezultate me emrin e shtetasit izralelit me origjinë gjeorgjiane. Shumica e materialeve u përket faqeve të internetit në Rumani, ku ai kryen aktivitetin e biznesit.

Dzanashvili në Rumani njihet si një ndër njerëzit më të pasur. Ai është pronari dy kazinove më të mëdha në këtë vend dhe me shumë biznese të tjera në Izrael.

Për disa vite me radhë u vu në qëndër të revistave rozë të Rumanisë, të cilat e quajtën një “playboy”, pasi ndërtoi një lidhje dashurie me modelen e famshme rumune Sara Petruleasa.

Për herë të parë ai ka mbërritur në Shqipëri në vitin 2009, me ide të qarta investimi, kryesisht në fushën e kazinove.

Në 2013-n ai bleu 50 për qind të aksioneve në kompaninë e basteve “Xhoi Lloto”, duke u bërë ortak me Mark Frrokun, i cili po atë vit u zgjodh deputet. Ai rezulton aksioner edhe në disa kompani të tjera në Shqipëri, si “Tea Oil” dhe “Tea Construction & Petrol”.

Në qendër të vëmendjes në Shqipëri, Dzanashvili do të vihej fillimisht nëpërmjet një statusi në Facebook nga ish-kryeministri Berisha, që e etiketonte atë si financuesin kryesor të fushates së PS-së.

“Njëri prej këtyre bosëve të mafies ndërkombëtare, që flitet se derdhi shuma të mëdha, rreth 2 milionë euro, për Edi Ramën dhe kundër qeverisë së PD në zgjedhjet e vitit 2013, është dhe manjati i lojrave të fatit, kazinove, superbosi i një rrjeti të madh prostitucioni, miliardieri Amiran Dzanashvili, që aktualisht është i burgosur në Rumani për veprimtari mafioze, rrjet prostitucioni”, shkruante Berisha në Facebook.

Top Channel