Arrihet akordi tek Milan; 48% e aksioneve i kalojnë tajlandezit Bee për 500 milionë euro

05/06/2015 00:00

Një ditë historike për Milanin! Kështu e kanë quajtur mediat italiane këtë të premte, gjatë së cilës tajlandezi Bee është rikthyer në Milano për të gjetur mirëkuptim mbi të gjitha bazat e nevojshme, për të arritur akordin me Berlusconin. Nga sa raportohet, manjati tajlandez ka marrë 48 për qind të aksioneve, duke derdhur 500 milionë euro në arkat e klubit, që siç flasin shifrat do të drejtohet ende nga ish-kryeministri italian.

Bee është rikthyer në Milano pak më shumë sesa një muaji nga udhëtimi i fundit. Sapo ka shkelur tokën italiane ka shkuar në një vizitë të papritur në Villa San Martino, ku është takuar në Arcore me padronin kuqezi, Silvio Berlusconi. Bee Taechaubol, emri i tij zyrtar, pavarësisht se nga të gjithë thirret si zoti Bee, ka “detyruar” Berlusconin të mbledhë njerëzit e tij më të besuar të “Fininvest”, edhe pse në mesnatë, si dhe ka informuar nëpërmjet telefonit edhe të bijën e tij, Barbara Berlusconi.

Kësaj radhe, Bee është hedhur totalisht në sulm për 100% të pronësisë së klubit kuqezi, duke përllogaritur derdhjen e një shume rreth 1 miliard eurosh. Por, Berlusconi, siç e kishte bërë të ditur edhe ditët e fundit, i komunikoi se nuk kishte më ndërmend të shiste mazhorancën e aksioneve, duke e refuzuar kështu ofertën e parë të Bee.

Por, tajlandezi ka shkuar sërish në selinë e Berlusconit pas mesdite, janë takuar dhe kanë biseduar gjatë, duke ulur kërkesat e tij e duke kërkuar mbi 50% të aksioneve, sërish duke marrë refuzimin e ish-kryeministrit italian.

Në 16 të pasdites së të premtes, Bee ka trokitur edhe njëherë në dyert e tij dhe këtë herë ka gjetur të pranishme edhe Barbara Berlusconin, administratore e deleguar e klubit kuqezi, e cila është përkujdesur personalisht për zhvillimin e mëtejshëm të bisedimeve, sigurisht edhe nën praninë e presidentes së “Fininvest”.

Ky duket se ka qenë takimi deciziv, pasi me të dalë nga Arcore pas rreth 1 ore bisedimesh, është mësuar se 48% e aksioneve të Milanit kanë kaluar në duart e tajlandezit. Shumë shpejt pritej edhe njoftimi zyrtar nga “Fininvest”, që nuk ka vonuar.

“Silvio Berlusconi ka miratuar akordin e firmosur mes administratorit të deleguar të Fininvest, Pasquale Cannatelli, dhe manjatit Bee Taechaubol, që parashikon një periudhë prej 8 javësh tratativash për bashkëpunim në lidhje me klubin AC Milan”.

Në tratativa parashikohet që kontrolli i klubit të qëndrojë në duart e Berlusconit dhe Fininvestit, të cilët së bashku do të përbënin mazhorancën prej 52% të aksioneve. Pjesa tjetër do t’i kalojë zotit Bee. “Së bashku, ata do të punojnë për të ndërtuar një projekt ambicioz ekonomik e sportiv, për ta ringritur Milanin në nivelet më të larta të futbollit italian dhe ndërkombëtar, aty ku i përket për nga historia, prestigji dhe rezultatet”.

Top Channel