Veliaj, në njësinë nr.10: Do të çlirojmë hapësirat abuzive

05/06/2015 00:00

Gjatë pasdites, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj u ndal në qendër të kryeqytetit.

Në njësinë numër 10, ai ka prezantuar programin e tij për zhvillimin e kësaj zone, ku janë identifikuar 168 probleme që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

“Më 21 Qershor ne do të votojmë për të hapur 18 hapësira parkimi abuzive dhe t’ua kthejmë ato qytetarëve. Mbrapa pastiçeri ‘Flora’, tek shkolla ‘Avni Rustemi’, tek rruga ‘Myslym Shyri’, tek ish-Pallati i Oficerëve, tek rruga ‘Mihal Duri’ dhe tek gjithë pjesa pas Ministrisë së Arsimit”, ka thënë Veliaj.

Më herët, kandiatati i mazhorancës prezantoi programin e tij përpara biznesmenëve dhe sipërmarrësve të kryeqytetit.

“Një gjë që dua të garantoj është se, në dallim nga indiferenca e 4 viteve të fundit nga Bashkia e Tiranës, jam i angazhuar që të ruaj të njëjtin seriozitet me biznesin, sikurse bashkëpunimi ynë në qeveri. Jam i vetëdijshëm që disa janë adresuar si të nënës dhe disa si të njerkës. Përkushtimi im është të kemi një sistem paanësie”, tha Veliaj.

Duke u ndalur tek lejet e ndërtimit, Veliaj bëri të qartë një gjë.

“Fjala ‘kryetar i bashkisë’ nuk do të jetë sinonim i atij që jep leje ndërtimi. Është e pakuptimtë që bashkia në 4 vitet e ardhshme të japë leje në zonat me dendësi, kur ka mijëra apartamente të pashitura. Në momentin që janë ezauruar shitjet, sigurisht ne do konsiderojmë lejet e ndërtimit, por jo aty ku kemi dendësi”, tha Veliaj.

Top Channel