Halim Kosova, në Kombinat: Punësimi, kryefjala ime

05/06/2015 00:00

Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, doktor Halim Kosova, takimin e radhës e zhvilloi në lagjen e Kombinatit, ku premtoi shërbim për 1 milion banorët e kryeqytetit.

Në Kombinat, doktor Kosova premtoi ndërhyrje në paketën e shtresave rrugore, ndërtimin e rrjeteve inxhinierike, vendosjen e rreth 200 ndriçuesve, si dhe rehabilitim të kanalizimeve.

“Ndërhyrje në paketën e shtresave rrugore me gjatësi 5.2 km, ndërtimin e trotuareve me sipërfaqe rreth 8.600 m2, ndërtimin  e rrjeteve inxhinjerike për ujin e pijshëm rreth 7.1 km dhe ujërat e zeza rreth 4 km. Gjithashtu, në këtë zonë ka nevojë edhe për 200 ndriçues”, u shpreh Kosova.

Në premtimin e tij në çdo takim elektoral për ulje të taksave me 30%, si dhe ujë të pijshëm 24 orë në ditë, doktor Kosova dha si shembull zgjidhjen që i dha banorëve të Sharrës për ujë të pijshëm.

“U habita shumë kur qytetarët më thanë se kemi 23 vite pa ujë, ndërsa problemi ishte shumë i vogël, që ne besoj mund ta rregullojmë nga mesi i javës tjetër dhe të ketë ujë për gjithë lagjen ku ishte ky problem. Ky është një shembull i qartë që, me pak vëmendje, me pak përkushtim, por t’i vihesh hap pas hapi një problemi të caktuar, arrin t’u plotësosh një nevojë të përditshme qytetarëve”, deklaroi kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova.

Top Channel