Meksikë, protesta të dhunshme në prag të zgjedhjeve

06/05/2015 00:00

Në prag të zgjedhjeve të së dielës, Meksika është përfshirë nga dhuna që ka shpërthyer në disa qytete të vendit.

Përfaqësues të sindikatës së arsimtarëve kanë sulmuar zyrat e 5 partive kryesore në shtetin e Chiapas, në jug të vendit gjatë së premtes. Ndërkohë në Guerrero mjete shpërthyese janë hedhur në zyrën e një partie konservatore.

Të dielën, votuesit meksikanë do të zgjedhin, kongresmenë, guvernatorët, si dhe kryetarët e bashkive.

Në muajin prill, anëtarë të bandave të drogës ekzekutuan dy kandidatë të zgjedhjeve lokale brenda 24 orëve. Enrique Hernandez Salcedo, kandidat për kryetar bashkie në Yurecuarom, u qëllua për vdekje gjatë fushatës në një shesh publik nga persona të armatosur.

Vetëm pak orë më vonë në Huimanguillo, Hector Lopez Cruz u qëllua me breshëri plumbash në rrugicën pranë shtëpisë së tij, ndërsa i vëllai i tij mbeti i plagosur.

Dhuna e nisur prej muajsh është cilësuar nga autoritetet vendase si më e egra në historinë e Meksikës. Shqetësimet më të mëdha janë shfaqur në Guerrero dhe Oaxaca, ku me dhjetëra mijëra fletë votimi janë djegur nga protestuesit.

Pavarësisht trazirave, zyrtarët zgjedhorë shprehen se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve të së dielës.

Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Neto, ka thënë se zgjedhjet e 7 Qershorit do të jenë referendum për mandatin e tij, ndërsa meksikanët do të votojnë në 500 zona zgjedhore.

Sondazhet tregojnë se partia e tij dhe aleatët e saj pritet të marrin shumicën e vendeve në Kongres, pavarësisht situatës së tensionuar.

Top Channel