Ukraina, akuza të ashpra në OKB mes Rusisë dhe shteteve perëndimore

06/06/2015 00:00

Shtetet perëndimore dhe Rusia shkëmbyen akuza të ashpra në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten, pas rritjes me ritme të shpejta të dhunës në Ukrainën Lindore, ndërsa një anëtar i lartë i një ekipi monitorues fajësoi të dyja palët në konfliktin që po cenon armëpushimin.

Përplasja diplomatike mes vendeve europiane, SHBA-ve dhe të dërguarit rus, erdhi një ditë pasi Ukraina paralajmëroi për një “pushtim të mundshëm në shkallë të gjerë nga Rusia”, pas luftimeve të ashpra të zhvilluara gjatë ditëve të fundit.

Nënkryetari i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE), Alexander Hug, ishte më i balancuar në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit. Ai tha se të dyja palët në konflikt ka vënë në rrezik jetën e civilëve të pafajshëm, ndërsa siguria po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.

“Civilët të pafajshëm vazhdojnë të paguajnë nga konflikti që çdo ditë po bëhet edhe më i ashpër. Një numër i madh civilësh kanë mbetur të vrarë dhe të plagosur, ndërsa pronat dhe jeta e tyre është duke u shkatërruar”, tha Hug.

Për Britaninë, Rusia është fajtore kryesore për dhunën e ditëve të fundit, ku kanë mbetur të vrarë me dhjetëra persona, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur.

”Ky ishte një sulm separatist ndaj njësive ushtarake ukrainase. Forcat separatiste janë një krijim i Rusisë, ata kontrollohen nga Rusia, e cila ka aftësinë për t’i ndaluar ata, por nuk po e bën këtë gjë”, tha ambasadori britanik Matthew Rycroft.

Ndërsa ambasadori rus, Vitaly Churkin, paraqiti pikëpamje krejtësisht të kundërta. Ai fajësoi Kievin për luftimet e fundit, teksa tha se është shkelur marrëveshja e Minskut dhe është vënë në rrezik jeta e civilëve.

”Nëse ne e lejojmë Kievin të vazhdojë ende…situata mund të dalë jashtë kontrollit”, tha Churkin.

Top Channel