Kinë, mbi 390 të vdekur nga mbytja e anijes

06/06/2015 00:00

Të paktën 396 persona janë konfirmuar të vdekur në incidentin e ndodhur më herët gjatë javës, në lumin Jangtze të Kinës, ku një anije u përmbys për shkak të një stuhije.

Skuadrat e shpëtimit arritën të kthenin anijen “Ylli Lindor”, vetëm pasi zyrtarët deklaruan se shanset për të gjetur të mbijetuar ishin të vakëta.

Vetëm 14 nga 456 pasagjerë dhe ekuipazhi është konfirmuar që kanë mbijetuar, ndërkohë që dhjetëra të tjerë konsiderohen ende të humbur.

Tragjedia duket se është ndër më të rëndat të ndodhura me anije në Kinë, në më shumë se 6 dekada qeverisje komuniste.

Qindra nga trupat u gjetën të vdekur, pasi skuadrat e shpëtimit kthyen sipër anijen, duke sfiduar rrymat e lumit. Vinça dhe mjete të tjera u përdorën për ta lëvizur mjetin lundrues.

Në orët e para të mëngjesit, anija “Ylli Lindor” mund të shihej teksa qëndronte anës lumit, me emrin e saj të dukshëm.

Agjencia e lajmeve “Xinhua” më vonë postoi një foto të mjetit të ngritur, me çatinë e shkatërruar. Autoritetet deklaruan se në anije nuk ka asnjë shenjë për të mbijetuar.

Presidenti Xi Jinping premtoi një hetim të plotë për verifikimin e shkaqeve të aksidentit, pasi familjarët e viktimave, të irrituar, protestuan pranë vendit të ngjarjes.

Autoritetet kontrolluan me rreptësi manifestimin, ndërkohë që përveç familjarëve, edhe gazetarët u ankuan për mungesë informacioni.

Top Channel