Kavajë, Cara takon gratë; Rroshi, banorët e Golemit

06/06/2015 00:00

Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar i Bashkisë së Kavajës, Engjëll Cara zhvilloi takim me gratë dhe vajzat sipërmarrëse. Në këtë takim Cara u dha një vend të veçantë në platformën e tij.

Ai theksoi rolin e rëndësishëm që gruaja ka në zhvillimin e vendit, ndaj ajo do të zërë një pjesë të rëndësishme në administratën e nesërme.

“Nuk mund të ketë zhvillim shoqëria pa patur bekimin dhe mirëkuptimin e nënave dhe grave, të cilat nga mëngjesi deri në darkë kujdesin e kanë për ne dhe unë betohem që në Bashkinë e Kavajës do të bëj në mënyrë taksative administratën me 50% gra dhe vajza”, deklaroi Cara.

Gjithashtu, Cara deklaroi se do të nxisë gratë sipërmarrëse të hapin një biznes dhe ta zhvillojnë atë me ndihmën e bashkisë. Ai shtoi se vend të veçantë në projektin e tij zë edhe ndihma sociale për kryefamiljaret femra.

Ndërkohë, rivali i zotit Cara, kryetari aktual i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi u ndal në fshatin Kryemëdhenj të Golemit, ku furnizimi me ujë të pijshëm mbetet problemi kryesor për banorët.

Rroshi tha se ky shqetësim do të marrë zgjidhje brenda vitit të parë të mandatit të tij të dytë. Një tjetër shqetësim i banorëve është izolimi nga bregdeti i Golemit dhe nevoja emergjente për mbikalime dhe nënkalime në autostradë, që të mundësojnë qarkullimin në të dy krahët e zonës.

Rroshi tha se komuna e Golemit, për vite me radhë ka qenë nën sulmin e qeverisë “Berisha”, për shkak se ka votuar majtas. Ndërsa me mbështetjen e qeverisë aktuale, ai premtoi se e gjithë zona bregdetare e bashkisë së madhe do të ketë një zhvillim të jashtëzakonshëm.

Top Channel