Duma, në Romanat: Programi im për bujqësinë. Dako, në Ishëm: Do të asfaltoj rrugicat e fshatit

06/06/2015 00:00

Kandidatja e djathtë për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma është takuar me banorët e fshatit Romanat, ku ka prezantuar programin e saj për zhvillimin e bujqësisë dhe infrastrukturës së zonës.

“Të bësh rrugët me taksat është detyra e secilit. Problem është se çfarë rruge bën. Problemi është a ke shpërdoruar apo jo me ato taksa. Problemi është nëse ato taksa, pasi ke bërë rrugë, kanë sjellë zhvillim?! Asnjë nga këto nuk kanë përgjigje në bashkinë e sotme të Durrësit. Ajo është një model i dështuar i zhytjes së qytetit në atë që është grumbullimi i betonieres së vet dhe i zhytjes së qytetit në atë që është varfërimi dhe papunësia”, tha Duma. Kandidatja e djathtë u shpreh se fondi i garancisë do të mbështesë çdo fermer.

Ndërsa kandidati i majtë, Vangjush Dako është takuar me banorë të Shkafanës dhe Ishmit. Ai premtoi se do të vihen në punë 240 km kanale vaditës dhe 230 km kanale kulluese. Dako tha se të gjitha rrugicat e fshatit do të asfaltohen si në Durrës.

“Para disa ditësh hapëm sezonin turistik në Ishëm dhe pamë edhe gjendjen e rezervuarit të Tarinit. Pamë një liqen mjaft piktoresk, por i cili për fat të keq nuk kryen funksionin për të cilin është ndërtuar, pasi për neglizhencë dhe mungesën e një fondi modest, nuk përdoret për vaditjen e tokave të shumë fshatrave të zonës tuaj. Unë ju jap fjalën se në muajt janar-shkurt të vitit të ardhshëm se rezervuari i Tarinit do të jetë në punë dhe 240 km kanale vaditëse dhe 230 km kanale kulluese do të jenë pastruar e do jenë gati për punë, në mënyrë që të vaditen të gjitha tokat tuaja”, tha Dako.

Top Channel