Papa Françesku, në Sarajevë; apelon për pajtim dhe unitet

06/06/2015 00:00

Papa Françesku ka mbërritur në Bosnjë-Hercegovinë, ku pritet ta përshëndesin rreth 100 mijë persona. Vizita e Atit të |Shenjtë në Sarajevë synon të nxisë paqen dhe pajtimin në këtë vend.

Ai do të mbajë një meshë në stadium dhe gjithashtu do të takohet me anëtarë të komunitetit mysliman, ortodoks dhe hebre. Bosnja mbetet e ndarë në linjat fetare dhe etnike, pavarësisht se kanë kaluar 20 vjet nga lufta.

Kardinali Vinko Puljiç u bëri thirrje qytetarëve të të gjitha besimeve që “t’i mbajnë sytë dhe veshët hapur për mesazhin e Papës”. “Kemi investuar shumë dashuri në përgatitjet për këtë vizitë. Qyteti vlon nga gëzimi”, tha ai.

Lufta mes serbo-boshnjakëve dhe boshnjakëve myslimanë që shpërtheu në fillim të viteve ’90 thelloi ndasitë etnike. Papa Françesku do të përpiqet të nxisë pajtimin, duke inkurajuar komunitetet që të mblidhen së bashku.

Në një mesazh të shkruar për banorët e Sarajevës më herët gjatë javës, ai thoshte: “Vij mes jush për të shprehur mbështetjen time për dialogun e përgjithshëm dhe ndërfetar, dhe sidomos për të inkurajuar bashkëjetesën në vendin tuaj”.

Të paktën 5 mijë policë do të jenë në detyrë dhe autoritetet kanë publikuar një numër telefoni të posaçëm, nëse qytetarët vërejnë ndonjë aktivitet të dyshimtë gjatë vizitës.

Ditën e premte, mediat ballkanase raportuan për kërcënimet e Shtetit Islamik se do të sulmojë rajonin. Megjithatë, autoritetet besojnë se këto kërcënime nuk kanë lidhje me vizitën e Papës.

Kanë kaluar 18 vjet qëkur Papa Gjon Pali II udhëtoi në Sarajevë gjatë një stuhije të egër në vitin 1997. Një monument u ngrit në nder të tij në vitin 2014.

Top Channel