Të verbërit në Shqipëri, probleme me aksesin dhe të drejtat

06/06/2015 00:00

Bashkimi Europian i të Verbërve, që përfaqësohet nga 44 shtete, konstaton se komuniteti i të verbërve në Shqipëri ka probleme në lidhje me aksesin dhe resptkimin e disa të drejtave të tyre themelore.

“Problemet që hasin të verbërit në Shqipëri janë të ngjashme me ato të vendeve të tjera, por ajo që shihet si më problematike këtu është aksesi, mungesa e semaforëve, e lehtësive për të lëvizur dhe e informacionit. Të verbërit kanë tanimë konventën që mbron të drejtat e tyre, konventë që po implementohet edhe në Shqipëri”, deklaroi Volfgang Angerman, president i EBU.

Ndërsa Presidenti i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, Sinan Tafaj tha se, që prej një viti u janë ndërprerë financimet, çka mundësonin trajnime të ndryshme për këtë komunitet.

“Mungesa e këtyre shërbimeve është bërë më e theksuar sepse që prej vitit të kaluar janë ndërprerë të gjitha financimet që qendra kombëtare e rehabilitimit ka ofruar në 10 vitet e fundit. Kjo ka sjellë dhe uljen e nivelit të shërbimeve, sido që ato vijojnë të bëhen me mbështetjen e donatorëve dhe vetë përfituesve”, deklaroi Tafaj.

Për të verbërit, me këto financime bëheshin trajnime për të mësuar të lexuarit nëpërmjet sistemit “brail” apo kurse të ndryshme.

Top Channel