Thirrja e Papës në Sarajevë: Kurrë më luftë!

06/06/2015 00:00

Përpara dhjetëra mijëra vetëve të mbledhur në stadiumin “Kosevo” të Sarajevës për meshën e tij të hapur, Papa Françesk dërgoi një mesazh të qartë. “Kurrë më nuk duhet të ketë luftë”, tha kreu i Kishës Katolike, në kryeqytetin e Bosnje-Hercegovinës së munduar nga konflikti i egër trevjeçar e ndasitë e thella fetare dhe etnike që e pasuan.

“Lufta do të thotë fëmijë, gra dhe të moshuar në kampe refugjatësh; do të thotë shpërngulje e detyruar; shtëpi, rrugë e fabrika të rrënuara; por mbi të gjitha do të thotë jetë të panumërta, që shkatërrohen. Ju e dini mirë, se e keni përjetuar vetë”, tha Papa Françesku.

Mbi 100 mijë ishin të vdekurit e luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë; dy milionë të shpërngulurit, ndërsa pasojat e atij konflikti vazhdojnë të ndihen ende edhe sot, kur pas dy dekadash vendi vazhdon të mbetet i ndarë në linja etnike.

Në stadium, Ati i Shenjtë u takua jo pa qëllim me pjesëtarë të komunitetit musliman, ortodoks, të krishterë e atij hebraik. Vizita e tij, në thelb ka synuar pikërisht këtë: promovimin e paqes dhe pajtimit.

“Mbajini veshët dhe zemrat tuaja të hapura për mesazhin e Papës, – ishte më herët apeli i kardinalit Vinko Puljiç për boshnjakët. – Kemi hedhur shumë dashuri në përgatitjet për këtë vizitë, – do të shtonte ai. – E gjithë Sarajeva sot rrezaton gëzim”.

18 vjet më parë, kryeqytetin e Bosnjes e shkeli Papa Gjon Pali i dytë, mbërritja e të cilit përkoi me një stuhi shumë të ashpër dimërore. Një monument u ngrit vitin e kaluar në kryeqyetin e Bosnjës, në nder të atij, që konsiderohet si një ndër kryetarët më karizmatikë e të dashur të Kishës Katolike.

Top Channel