Beqaj: Transparencë për rimbursimin e ilaçeve. Prokuroria të zbulojë skandalin në detaje

06/06/2015 00:00

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka inkurajuar strukturat e prokurorisë për të vijuar hetimet më tej në lidhje me të implikuarit në vjedhjen nëpërmjet rimbursimit të barnave.

Ne e goditëm tregtinë abuzive, – tha Beqaj, – por nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë duke nisur nga një dite më parë, filloi të bëjë publike çdo lëvizje që bëhet me listën e barnave të rimbursueshme si në lidhje me emrat e farmacive që përfitojnë nga rimbursimi, numrin e recetave që u rimbursohen, shumën e parave që u kalon, por edhe për sasinë e barnave të rimbursueshme që importohen nga kompanitë farmaceutike.

“Çdo muaj do të bëjmë transparencën e rimbursimeve të FSDKSH për çdo farmaci. Do të bëhet publike sasia e barnave dhe vlera financiare e gjithë rimbursimit në vend, si dhe lëvizja e barnave me rimbursim nga shpërndarës farmaceutikë dhe vlera e rimbursimit të farmacive sipas drejtorive rajonale. Raporti do të jetë publik dhe online. Nga dita e djeshme janë publike të gjitha të dhënat për muajin prill”, tha Beqaj.

Si një masë më afatgjatë që do frenojë abuzimet, Beqaj thekson dhe futjen e recetës elektronike e cila kalon direkt online nga mjeku në farmaci që sapo ka nisur të aplikohet në Durres për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin.

“Për këtë qëllim do të zëvendësojmë recetën klasike me recetën elektronike. Futja në përdori e këtij mekanizmi bashkëkohor është një hap i sigurtë në përpjekje për rritjen e transparencës dhe shmangien e abuzimeve me recetat e rimbursueshme”, vijoi Beqaj.

Në skandalin e vjedhjes nëpërmjet listës së rimbursimit janë arrestuar 9 zyrtarë dhe farmacistë deri më tani, ndërkohë që hetimet vijojnë dhe numri i të arrestuarve pritet të jetë edhe më i lartë.

Top Channel