Veliaj, takime me banorët: Do të zhbllokojmë menjëherë banesat sociale

06/06/2015 00:00

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj është takuar me banorët e njësisë 6 në kryeqytet, për t’u njohur me problemet e tyre konkrete dhe për t’u dhënë zgjidhje atyre pas 21 Qershorit.

“Për gjithë këtë pjesë të Unazës së Re kemi premtuar shkolla e kopshte dhe kemi kërkuar edhe një qendër shëndetësore. Kashari tani është lagje e Tiranës dhe të njëjtat vendime që bashkia do të marrë për Tiranën do t’i marrë edhe për Kasharin”, ka thënë Veliaj.

Më pas, Veliaj është ndalur dhe në njësine 9, ku shqetësimi më kryesor i banorëve ishte ai që lidhej me shpërndarjen e banesave sociale, shqetësim për të cilin Veliaj ka bërë një zotim.

“Sapo të jetë mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak do të shpërndahen banesat sociale. Se ato që ndërtoi Edi Rama dhe që këta të tjerët nuk i shpërndanë për shkak se ishin të paaftë, nuk ka bërë vaki. Do shpërndahen ato njëherë dhe pastaj do të bëjmë të tjerat”, u ka thënë Veliaj banorëve.

Top Channel