Harito: Teknologjia, zgjidhje për biznesin; UT, dy mastera të rinj në këtë fushë

06/06/2015 00:00

E pranishme në konferencën e 6-të ndërkombëtare me temë “Sistemet informatike dhe teknologjia inovative: përfshirë zgjidhjet moderne për biznesin”, organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ministrja e Teknologjisë dhe Inovacionit, Milena Harito theksoi rëndësinë e teknologjisë në jetën e sotme dhe vëmendjen që qeveria i ka kushtuar.

“Qeveria i ka vënë një fokus shumë të qartë dixhitalizimit. Në këto 15 muaj kemi trefishuar fondet në teknologjinë e informacionit, por krahas kësaj duhet përmirësuar edhe efikasiteti i përdorimit të tyre. Ndaj, këto fonde janë përqendruar në një fond kompetitiv, ku institucionet sjellin projektet dhe janë në konkurrencë me njëra-tjetrën. Pra, ai që ka projektin më efikas përzgjidhet. Përveç kësaj kemi trefishuar burimet njerëzore në institucionet kryesore të IT-së, si AKSH dhe ASIG-u, që është Agjencia e Informacionit Hapësinor”, deklaroi Harito.

Ndërsa rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule u shpreh se risia që vjen në këtë konferencë nga UT janë dy mastera të rinj në këtë fushë, që ofrohen njëri në bashkëpunim me Universitetin e Suedisë dhe tjetri me atë të Italisë.

Konferenca u organizua në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetin për Biznes dhe Teknologji të Kosovës.

Top Channel