ISIS, nën vëzhgim përmes rrjeteve sociale. Operacionet nisin pas çdo postimi

06/06/2015 00:00

Përdorimi i shpeshtë që u bën ISIS-i mediave sociale për qëllime rekrutimi është kthyer në armë nga shërbimet e inteligjencës së forcave ajrore amerikane për gjurmimin e militantëve të Shtetit Islamik.

Janë disa prej këtyre tipave që hyjnë rëndom në rrjetet sociale, – tha gjenerali Hawk Carlisle, – por një xhihadist idiot shkoi e postoi edhe të dhëna mbi një fortesë të grupit ekstremist.

22 orë pas mesazhit të tij, – shton Carlisle, – avionët amerikanë bombarduan vendin në fjalë. E shkatërruan të gjithë. Sulmi, sipas “Air Force Times”, ndodhi dy ditë përpara se anëtarët e komitetit të sigurisë kombëtare të informonin Kongresin mbi përdorimin që i bën ISIS-i medias sociale

Nga pohimet e ekspertëve rezulton që grupi ekstremist të ketë publikuar në Twitter dhe platforma të tjera të ngjashme plot 1700 fotografi, video e publikime të ndryshme.

Por përpos ndonjë gabimi si ai i cituar prej gjeneralit Carlisle, nëpërmjet përdorimit të mediave sociale dhe komunikimeve të koduara online që kalojnë filtrat e mbikqyrjes se agjencive të zbatimit të ligjit, organizata terroriste ka mundur të shtojë radhët e simpatizantëve të rinj e të inkurajojë sulme, siç ishte ai i ekspozuar së fundi në Boston.

“Terroristët e huaj kanë sot akses të drejtpërdrejtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç nuk kanë pasur kurrë më parë”, theksoi ditë më parë zv.drejtori i sektorit të Antiterrorit në Byronë Federale të Hetimit, Michael Steinbach.

Të paktën njëri prej dy personave të lidhur me komplotin për t’i prerë kokën blogeres konservatore Pamela Geller e për të vrarë policë në Massachussets, ishte frymëzuar online nga persona jashtë kufijve të lidhur me ISIS-in.

Zyrtarët amerikanë tregohen megjithatë të kujdesshëm në pohime, duke sqaruar se është e vështirë të dihen me saktësi se cilët kanë qenë kontaktet e këtyre të dyshuarve.

Top Channel