Dosja “Doshi”, në Gjykatën e Lartë. Prokuroria: Kallëzim i rremë për motive politike

06/06/2015 00:00

Një video do të jetë prova më e fortë me të cilën në Gjykatën e Lartë deputetët Tom Doshi, Mark Frroku dhe shtetasi Durim Bami do të përballen me akuzën e Prokurorisë së Përgjithme për “kallëzim të rremë në bashkëpunim”.

Pas tre muajsh intensivë, gati 40 funksionarë të lartë të pyetur, si edhe persona që kishin dijeni, organi qendror i akuzës njoftoi se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim për të njëjtën akuzë, atë të kallëzimit, deputetët Doshi dhe Frroku, si dhe shetasin Bami.

Prokuroria mban qëndrimin se vepra e “kallëzimit në bashkëpunim” qëndron në faktin se të tre të pandehurit kanë fabrikuar prova të rreme, sikurse është videoja Doshi-Bami, në të cilën flitej për një skenar ekzekutimi në dëm të deputetit Doshi.

Jo zyrtarisht burimet pohojnë se prokuroria ka konkluduar se motivi i krijimit të kësaj videoje, që pasoi me pretendimet e Doshit se ndaj tij kryetari i Kuvendit, Ilir Meta kishte kërkuar që të kryhej një atentat, janë politike.

Sipas të njëjtave burime, kallëzimi i rremë në bashkëpunim mes Doshit, Frrokut dhe Bamit është kryer për shkak që të niste një procedim penal kundër Ilir Metës. Prokurorët janë duke përgatitur kërkesën për gjykim, e cila pritet të dorëzohet të hënën në Gjykatën e Lartë.

Për çështjen hetimore, e cila pas qëndrimit të Doshit se Durim Bami ishte ndërmjetësuar për të kryer vrasjen e tij, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u thirrën personalitete të jetës politike në vend, që nga kryeministri Rama, ish-kryeminisri Berisha, kreu i Kuvendit Meta, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e një sërë deputetësh.

Për këtë çështje, Doshi përballet me masën “detyrim paraqitje”, Durim Bami mbahet në arrest shtëpie, ndërsa deputeti Mark Frroku në “arrest me burg”, për shkak të një dosjeje tjetër hetimore të hapur në ngarkim të tij në Belgjikë.

Top Channel