Merkel: Në G7 nuk ka ende vend për Rusinë, por rol pozitiv në arenën ndërkombëtare

06/06/2015 00:00

Rëndësinë e Rusisë në përballjen me kriza ndërkombëtare, Angela Merkel e konfirmoi sërish në prononcimet më të fundit në shtypin gjerman.

Kancelarja e vuri theksin në mënyrë të veçantë tek lufta civile e Sirisë, gjetja e një zgjidhjeje për të cilën, sipas saj, mund të arrihet vetëm me përfshirjen e Moskës.

Në fund të fundit, kujton Merkel, edhe eleminimi i armëve kimike të regjimit të Damaskut që vunë në alarm mbarë komunitetin ndërkombëtar, u arrit pikërisht falë ndihmës së Moskës. Por kur vjen fjala tek riafrimi i kësaj të fundit me grupin e shtatë vendeve më të industrializuara të globit, aty shefja e ekzekutivit gjerman nuk shkëput asnjë zotim.

Në formatin e G7-tës, nuk ka ende vend për Rusinë. Moska vitet e fundit “nuk u është afruar” shumë ideve të këtij grupi, argumentoi kancelarja. Me pranimin e Rusisë në G7 gati dy dekada më parë priteshin “më shumë gjëra të përbashkëta”, veçanërisht në kuadrin e përpjekjeve të mbrojtjes, shtoi ajo.

Kundërshtarë të fortë të afrimit me G7-tën, Rusia ka edhe Kanadanë. Në një intervistë eksluzive për Associated Press përpara rrugëtimit të tij në Ukrainë dhe takimit të G7-tës në Bavari javën që vjen, kryeministri kanadez Stephen Harper u zotua t’i kundërvihet me forcë çdo përpjekjeje afrimi të Moskës me grupin. Nuk do të ketë qasje tjetër, të paktën jo për aq kohë sa president të vazhdojë të jetë Vladimir Putin, deklaroi ai.

G7-ta e largoi Rusinë nga radhët e saj për shkak të rolit të supozuar në konfliktin e Ukrainës, por nuk e ka përjashtuar hapur mundësinë e rihapjes së dyerve për këtë vend.

Top Channel