Trafiku i heroinës Turqi-Shqipëri, në gjyq 5 të akuzuar

06/06/2015 00:00

Prokuroria për Krimet e Rënda ka dërguar për gjykim 5 persona, të dyshuar si pjesë e një rrjeti trafiku ndërkombëtar të drogës. Burime zyrtare bënë të ditur se të akuzuarit janë: Albert Shkëmbi, Kleanthi Agolli, Marsel Morava, Manjola Terolli dhe Eleni Xhafa.

Hetimet, sipas prokurorisë, nisën një vit më parë, kur në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës u kap duke hyrë nga Greqia në Shqipëri, me 0.5 kg. heroinë, Eleni Xhafa. Hetimet e mëvonshme zbardhën edhe personat e tjerë të implikuar dhe rrugën e rrjetit të trafikimit të heroinës.

Albert Shkëmbi, si drejtuesi i grupit, trafikonte heroinë nga Turqia, duke e transportuar nëpërmjet Shqipërisë në vendet e Europës Perëndimore, ose e shiste në vendin tonë.

Morava, Agolli dhe Terolli e ndihmonin në gjetjen, magazinimin dhe shitjen e heroinës, ndërsa Eleni Xhafa ishte në rolin e transportueses. Kjo veprimtari drejtohej dhe financohej nga Albert Shkëmbi.

“Pasi siguronte lëndën narkotike në Turqi, Shkëmbi e trafikonte në Shqipëri nëpërmjet territorit të Maqedonisë ose Greqisë. Cilësia e lëndës, shikohej dhe kontrollohej nga i pandehuri Marsel Morava, i cili bashkëpunonte ngushtë me të pandehurin Kleanthi Agolli. Lënda narkotike e siguruar në Turqi, transportohej nga shtetas shqiptarë të ndryshëm, të cilët rekrutoheshin nga të pandehurit Shkëmbi dhe Morava. Pasi personat, të cilët binin dakord të kryenin transportimin e lëndës narkotike nga Turqia për në Shqipëri, kundrejt shumave të parave nga 300 euro deri 500 euro, shoqëroheshin nga Shkëmbi dhe Morava për në Turqi. Në Turqi, u jepej lënda narkotike, instruktoheshin për mënyrën e lëvizjes, kohën dhe vendin ku do të dorëzonin lëndën narkotike në Shqipëri. Itinerari i lëvizjes së transportuesve është Turqi-Greqi-Maqedoni-Shqipëri dhe zakonisht lënda fshihej në trup të personave transportues. Më pas, lënda shitej në Shqipëri ose trafikohej jashtë saj”, ka shpjeguar Prokuroria e Krimeve të Rënda mënyrën si funksiononte skema e trafikut të heroinës.

Top Channel