F1, Kanada. Vettel shfaqet i qetë dhe optimist: Motori, siç e prisnim

06/06/2015 00:00

Sebastian Vettel është shfaqur tepër i kënaqur pas provave të lira të zhvilluara gjatë së premtes, përpara provave zyrtare për “pole position”, që do të zhvillohen këtë të shtunë më 19:00, dhe garës për Çmimin e Madh të Kanadasë, që do të zhvillohet të dielën në po të njëjtën orë, e që do të transmetohen drejtpërdrejt në Top Channel dhe Top Channel HD.

Mercedesi mbetet gjithnjë me kohën më të mirë, por dy “shigjetat e argjendta” këtë herë janë ndarë nga dy “kokëkuqet” SF15-T, të cilat kanë përshtatur motorin enkas për këtë garë, e që kanë treguar një nivel shpejtësie thuajse të përafërt me atë të kampionit të botës, Lewis Hamilton.

Vettel theksoi se ende nuk ishte koha për të gëzuar, por si ditë e parë mund të shfaqej i kënaqur. “Motori ka shkuar siç kishim pritur. Na është dashur të modifikojmë programin për shkak të reshjeve të shiut, edhe pse e dinim se moti do të prishej. Na vjen keq që zgjati kaq shumë, pasi nuk mundëm të punonim siç dëshironim. Është e vështirë të gjykosh mbi diferencën me Mercedesin, por duhet të shohim të dhënat e këtyre pak xhirove të bëra, për të planifikuar punën në lidhje me garën e së dielës”.

Edhe Kimi duket se ka pasur të njëjtën përshtypje, pasi është shprehur thuajse identik me Vettelin.

“Motori është ai që kishim dashur të ishte. Gjithçka shkon mirë, por moti na i prishi planet. Nëse jemi më pranë Mercedesit? Nuk kemi garuar mjaftueshëm për të nxjerrë konkluzione, por kemi ende punë për të bërë e për të kuptuar se çfarë duhet të presim nga e shtuna dhe e diela”, tha finlandezi.

Top Channel