Skandali me ilaçet, PD: LSI, sipërmarrëse e korrupsionit

06/06/2015 00:00

Partia Demokratike përshëndeti hetimin e Prokurorisë, e cila sipas saj, lëvizi për të arrestuar personat që kanë shkaktuar skandalin e ilaçeve.

Albana Voksi deklaroi se LSI është bërë sipërmarrëse e korrupsionit, ndërsa akuzoi edhe ministrin e Shëndetësisë, pasi sipas saj, po bën të pamundurën për të mbrojtur këtë skemë.

“Pas më shumë se dy javësh denoncime nga Partia Demokratike dhe një pjesë e medias në lidhje me skandalin e përfitimit të miliardave me receta false, më në fund prokuroria hodhi një hap dhe arrestoi drejtorin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor në Tiranë, Pjerin Xhuvani. I arrestuari është miku i Ilir Metës, kryetar i LSI-së për Elbasanin. Një dëshmi e qartë kjo se LSI, është një forcë politike, me mision të vetëm korrupsionin, vjedhjen dhe abuzimin. PD vlerëson punën e prokurorisë deri tani në lidhje me këtë skandal, por kjo do të ishte një punë e paplotë, nëse nuk vihen para përgjegjësisë kumbarët e vërtetë të këtij rrjeti mafioz. Gishti është drejtuar nga ministri i Shëndetësisë, i cili bëri të pamundurën për ta mbrojtur këtë skemë të turpshme të vjedhjes me receta false”, tha Vokshi.

Top Channel