Çako, në Korçë: Plan bashkëveprimi kundër terrorizmit. Nuk na stepin videomesazhet

06/06/2015 00:00

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako është takuar me strukturat e policisë së Qarkut të Korçës. Ai bëri të ditur se tashmë ka një plan bashkëveprimi dhe se policia nuk do të stepet nga videomesazhet me përmbajtje terroriste.

“Një prioritet i rëndësishëm është ‘Partneriti kundër terrorizmit’. Jeni njohur me një plan bashkëveprimi për këtë problem. Kërkoj vëmendje të shtuar nga të gjitha strukturat. Jemi të vendosur të zbatojmë ligjin e të prodhojmë rend e siguri për qytetarët, pa u stepur nga videomesazhet me përmbajtje terroriste”, tha Çako.

Referuar zgjedhjeve lokale, ai tha se do të ketë reagim në kohë reale dhe në zbatim korrekt të ligjit ndaj kujtdo që tenton të cenojë procesin elektoral.

“Policia e Shtetit nuk ka zgjedhje, nuk është në garë, Policia e Shtetit ka shërbim dhe zbatim me korrektësi të ligjit. Unë dhe stafi im jemi të vendosur të ndëshkojmë cilindo punonjës policie që do implikohet në anën politike të cilitdo krah. Po ju përcjell edhe porosinë e Ministrit Saimir Tahiri për të rritur tempin ndaj goditjes së krimit, të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe reagimin në kohë reale dhe në zbatim korrekt të ligjit ndaj kujdo që do tentojë të cenojë procesin elektoral përsa i përket problematikës që mbulon policia”, tha Çako.

Top Channel