Panairi i librit në Prishtinë, ndahen çmimet për autorët dhe librat më të vlerësuar

06/06/2015 00:00

Një ditë para mbylljes së tij, rreth 35 mijë qytetarë e kanë vizituar Panairin e 17 të Librit në Prishtinë. Interesimi për librin në Kosovë, sipas organizatorëve të panairit, për çdo vit po rritet, ndërsa lexuesit kanë mundësinë të gjejnë libra, nga secila fushë që iu intereson.

“Ka pasur një interesim më të madh. Krahas interesimit, ka pasur edhe prurje të titujve dhe risive në këtë panair. Pa lënë mënjanë edhe aktivitetet e tjera, që përcollën panairin nga dita e hapjes deri më sot, ne kemi pasur një axhendë të ngjeshur të promovimeve. Çdo ditë kemi pasur 7 deri 8 promovime, që janë organizuar në kuadër të panairit”, tha Besian Zeneli, koordinator për media i panairit.

Gjatë këtij panairi janë ndarë edhe çmimet për më të suksesshmit e edicionit.

Me vendim të jurisë profesionale, çmimi “Shkrimtari i vitit” është dhënë për Roland Gjoza, ndërkaq, çmimi për “Shkrimtarin e vitit në letërsinë e huaj” i është dhënë nobelistit francez, Patrick Modiano.

Po ashtu, në këtë edicion janë dhënë edhe çmime të tjera, si ai “për prozën”, me të cilin është vlerësuar Rexhep Murtez Shala; çmimi “për poezinë” për Xhevdet Bajraj, për “kritikë”; kurse çmimi për “përkthimin letrar” i është dhënë Jorgji Doksanit dhe Anila Xhekaliut.

Çmimi për “projektin kapital” është dhënë për veprën “De Rada”, që është mbështetur nga të dy Ministritë e Kulturës, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë.

Që nga hapja e panairit, më 2 qershor, shtëpi të ndryshme botuese kanë promovuar shumë tituj të rinj të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

Edhe të shtunën janë promovuar libra të autorëve të ndryshëm,  si romani i Novruz Abilekajt, me titullin “Shoku hiç”, për rrëfimet e një shpirti të tejlodhur nga roli i njeriut të përditshëm, në betejë të papërfunduar me kanunet e shoqërisë dhe moralin institucional.

“Është një libër që, në çdo 10 faqe jam penduar që e kam shkruar, dhe pas një muaji detyrohesha të ulesha dhe të shkruaja 10 faqe të tjera. E kam shkruar për 10 vite. Më ndalonte e kaluara që ta shkruaja, më thërriste e sotmja, që duhet shkruar”, tha Novruz Abilekaj, autor i librit “Shoku hiç”.

Tjetërsimi i njeriut nën trysninë e përditshmërisë është universal dhe pa kohë, ndaj dhe ky roman vjen me fenomene reale te lexuesi, edhe pse ka kaluar në një proces të gjatë deri te botimi.

Në panairin e Prishtinës, librin e saj e ka promovuar edhe ish-ministrja e Integrimit Evropian në Shqipëri, Majlinda Bregu.

“Unë vazhdoj të besoj dhe dua të besoj se, nga ajo ideja gjeniale e themeluesve të Bashkimit Evropian, – pavarësisht tendencave të sotme në mënyrë të fajshme, nganjëherë edhe tinzare, për ta konsideruar këtë proces më shumë prej matricash, sesa vendimmarrje politike, – kjo është e vetmja rrugë, që ne duhet të përshkojmë”, tha Majlinda Bregu, autore e librit “Ikeja”.

Panairi i 17 i librit mbyllet të dielën, kur organizatorët do të japin edhe shifrat e fundit rreth pjesëmarrjes si dhe do ta shpallin librat më të shitur të tij.

Top Channel